Karabaku do të jetë prova e së vërtetës për “007”-ën e Partizanit!

“Prit or vëlla se do të kesh kohë për ta njohur”. Kështu u shpreh me pakënaqësi një nga njerëzit e Partizanit për trajnerin Franko Lerda, kur një gazetar u ankua për mungesë informimi, ndërsa kamera e tij nuk u lejua të filmonte qoftë edhe 10 minutat e para të stërvitjes. Ndryshe nga prezantimi i italianit, ku ai u shpreh se “shitblerjet do t’i bëjë Olsi Rama”, ky njeriu i Partizanit deklaroi se trajneri nuk po pyet për askënd, por po bën vetëm në kokë të tij.

Deri këtu nuk ka ndonjë të keqe, pasi profesionisti duhet të mos ndikohet nga askush, veçse nuk dihet nëse mentaliteti i Lerdës mund të pëlqehet nga skuadra, dhe nëse ai do të arrijë të jetë njeriu i duhur për futbollistët. Për momentin, ka vetëm lajme mbi mënyrën e punës së trajnerit, për angazhimin e tij maksimal, për studimin “me themel” të kundërshtarit, për aftësinë e madhe taktike. E gjitha kjo është e bukur, por e vërteta do të duket në sfidën ndaj Karabakut në Champions.

Vetëm nëse skuadra do të luajë fort, do të japë shpirtin në fushë, mund të thuhet se Lerda ia paska fituar zemrën. Nuk ndodhi kështu në të kaluarën me Sormanin apo Iulianon, pavarësisht se njëri ishte trajner me më shumë përvojë, dhe tjetri fillestar. Një gazetë shqiptare, duke përshkruar lëvizjet e italianit, e mbiquajti atë një “Xhejms Bond”, veçse “007” i Partizanit është ende përpara provës së të vërtetës. Nuk dihet nëse do të jetë në gjendje për ta kaluar.

Sfidanti.al