Intervistë imagjinare me presidentin Duka

Kur “mbreti” driblon edhe… trukimet!

Dikush, një nga njerëzit besnikë të presidentit të futbollit, Armando Duka, ka bërë një pyetje: “Përse bëni takime imagjinare me  presidentin, kur ai është  tepër i prekshëm”.  Përgjigja mu duk bindëse dhe lakonike: “ Kur Duka jep intervista reale, pyetjet dhe përgjigjet janë pronë e tij, kurse në intervistat imagjinare, pyetjet dhe përgjigjet janë tonat. Disa ditë më parë, shefi i plotfuqishëm i lojës në fushë dhe jashtë saj, është shfaqur në erkan, më së fundi,  pas arratisë nga dënimi për trukime i kampionëve të Skënderbeut.  U shfaq me vonëse, por stili i tij ishte përzgjedhur. Në vend që të mbrohej, apo të merrte dhe fajësi personale për pëjashtimin e kampionëve të Shqipërisë,  u lëshua në sulm kundër ..një politikani.! Kundër të madhit? Nuk e ka lënë mëndja, por kundër një deputeti “të vogël”, por me kurajo të madhe.

– President, urime për intervistën e ditëve të fundit! Ishte spektakolare dhe e bukur taktikisht?

– Nuk jam De Biazi që më flisni për taktikë…

– Të gjithë prisnin që ju të merrenit përgjegjësi për dënimin e kampionëve një vit nga Europa, kurse ju, nuk qëndruat në mbrojtje si De Biazi, por sulmuat deputetin Braçe, sikur të ishte ai fajtori për trukimet?

– Jam Armando Duka, njeriu që zbukuroi Shqipërinë më shumë sesa gjithë deputetët bashkë. Erjoni nuk duhet t’i bjerë murit me kokë…

– Thonë se tani që e keni grurë me kryeministrin Rama, nuk keni më frikë nga politikanët?

– Nëse Shqipëria kualifikohet edhe në Botëror, politikanët e vërtetë, do të jemi ne të futbollit.

– Sa zili ndjell ajo shprehja juaj e famshme “ Futbolli është gjëja më e bukur që ka ky vend”?

– Pa më thoni diçka tjetër, që ju bën më  të lumtur dhe më të famshëm se futbolli?

– President, futbolli na ka bërë  krenarë, por edhe të …dhjerrë. Trukimet, përjashtimi i kampionëve dhe dhuna, e cila do na hajë kokën për kaq pak futboll !

– Mirë që na dënon UEFA, pra Europa, po ne nuk kenaqemi, si të pabesë me njëri-tjetrin, kërkojmë dhe dënimin nga brënda të Skënderbeut.

– Po ata, që përflasin se Duka nuk e dënon dot Skënderbeun, ngaqë i duket sikur dënon veten e tij?

– E kam dëgjuar edhe unë. E thonë edhe ata të Partizanit?

– E thonë edhe në Vlorë, edhe  në Durrës. Me shumicë e dëgjon edhe në Tiranë.. këtë akuzë.

– E dini se çfarë do të ndodhte nëse titullin ia kaloja Partizanit? Pastaj do të kërkonte titullin Teuta, pastaj Flamurtari, e kështu me radhë.

– Sa shumë keni tradhëtuar në këto vite, dhe më e forta, thoni pa iu dridhur qerpiku, se futbolli është gjëja më e bukur që u ka ndodhur shqiptarëve?

– Po sikur ta mësonit lojën që bëhet në UEFA apo në FIFA, do të kuptonit më mire, ngaqë tradhëtia në futboll nuk është modë, por një  nevojë. Shumë vetë, dele nga populli, pyesin: si ia paten me hile futbollit Blater dhe Platini? Po të ngjitesh lart, aty ku futbolli luhet me “dorën në allçi”, siç rekomandoni ju,, kupton më mirë, se ajo që shfaqet në fushë është kozmetikë e një loje të madhe, thelbin e së cilës më mire të mos e dini.

– President, a mund të quhet derbi i kryqytetit, Partizani-Tirana, kur ndeshja luhet në Elbasan?

– Kur populli është gati ta ndjekë ndeshjen kudo që të shkojë, kur policia nuk na pengon, pse të mos luhet në stadiumin e Federatës. Italianët kanë luajtur edhe në Kinë, ndërsa ju prisni që ta sjellim në Tiranë, “Elbasan-Arena”-n.

– Një sekret të vogël: gjithnjë e më shumë po dëgjohet pagëzimi “mbreti” në mjediset e FSHF-së. Ngaqë nuk do ikni kurrë, apo për magjitë që bëni?

– Do ta shikoni në Asamblenë e ardhshme, kur të bëj sikur do të largohem nga futbolli, pasi “mbreti” është i lodhur. E dini se ç‘mund të ngjasë në sallë?

– President, na fal për pyetjen e fundit. Të na rroni ju.. pastaj futbolli!

 

Gëzim Sinemati