Grushtat dhe biçakët, trajnerët janë të tradhëtuar nga vetë klubet!

Vite më parë, një prind fëmije bëri rolin e të fortit tek Dinamo (që ishte ende e madhe në atë kohë) dhe e pagoi shtrenjtë. Drejtor i Akademisë dinamovite në 2010 ishte Ilir Daja, trajneri i sotëm i Skënderbeut, që e thirri prindin në zyrë, “e bëri për një lek” dhe “e internoi” që të mos shkelte më në kompleks, ndërsa djali do të vazhdonte karrierën.

Kanë kaluar 8 vjet të paktën, dhe rastet e dhunës ndaj trajnerëve në Shkodër e Tiranë tregojnë se klubet sot nuk janë as në nivelin e Dinamos së Ilir Dajës në 2010. Ernest Gjoka u godit në mes të fushës në qytetin ku lindi futbolli, pra në Shkodër, ndërsa Migen Memelli u godit me grusht dhe u kërcënua me biçak në kompleksin që mban emrin e nderuar “Skënder Halili”, brenda në kryeqytet.

Në të dy rastet, agresorët kanë “të njëjtën fytyrë”, janë prindër apo të afërm të lojtarëve që pretendojnë se u hahet haku, ndërsa askush nuk paraqet ndonjë provë se Gjoka apo Memelli u kanë ngrënë hakun djemve.

Fatkeqësia është se klubet tona më të vjetër dhe më të dëgjuar si Tirana e Vllaznia, jo vetëm që nuk kanë “gardhin” e duhur dhe “rojet e duhura të gardhit” për të mbrojtur trajnerët e tyre, por kanë zhvilluar një lojë të pistë duke i sabotuar. Janë të panumërta fjalët për ndere të padrejta që u janë bërë njerëzve të ardhur nga politika, biznesi, shokë e miq të presidentëve e drejtuesve, duke u lënë trajnerëve “çelësat e kashtës”.

Jo vetëm kaq, por një president i një klubi tepër të madh (nuk po ia themi emrin) i thoshte në mirëbesim një mikut të tij se “nuk ka ndonjë të keqe, nëse trajnerët e akademive pranojnë ndonjë lek nën dorë (!!!)”

Sfidanti.al