Dëgjoni Josën, s’flet dot më shumë: përse çmontohemi në Europë!

Mirel Josa nuk është raca e trajnerëve që flet pa u ndalur, madje mund të konsiderohet ndër trajnerët më pagojë midis kampionëve. Pati  momente të arta  për të folur, madje edhe me marshin e tretë, por nuk e bëri sepse shijon stilin e tij  me heshtje. Një stil që nuk afron asfare me kolegët e tjerë, midis  të cilëve ka dhe nga ata që luajnë heroin edhe pa mbërritur  në majën e Olimpit.  Por, Josës  i ka ardhur goja,  vetëm  kur të tjerëve u ka ikur. Ndërsa prisnim të zbulonte më shumë  sekrete dhe llogari zyrtare që e fundosen Tiranën në pusetën e ferrit, tamam këto ditë, Mireli, ka prekur plagën që kullon infeksion kur klubet tona ndeshen nëpër Europë..

“ Klubet shqiptare çmontohen në Europë..”. Kaq thotë Josa dhe nuk shkon dot asnjë hap më tej, sepse loja jonë luhet në një fushë të minuar, sidomos për trajnerët, ku sipas zakonit të vjeter, vriten të parët..

Fraza lakonike e Josës vlen shumë. Më shumë sesa një referat nga ata që shpjegojnë se si lodhja ndikon që të marrësh 7 gola në një ndeshje miqësore. Siç ndodhi katercipërisht me Kukësin, kur me petkun e kampionit e “zuri autobuzi”, ndersa në vitet e kaluara, kapërcente fusha e male përtej kufirit dhe porta nuk i bëhej që nuk i bëhej si një kuti votimi.  Kur flet trajneri  për çmontim të ekipeve shqiptare, zhurma e kambanës s’ka si  të mos dëgjohet më shumë në klubin bardheblu. Ai klub pa klub , që çuditi mbarë trevën tonë kur u vesh me të zeza sapo humbi Superligën (disa e quajnë Supershtriga) dhe ..kërceu napolonin si dhëndër,  kur hyri nga dera e pasme në Europë. Dhe cila  Europë? Ajo na  bëhet tejet e pabesë, ngaqë na lirohen vidhat, u çmontokemi, sepse  s’themi dot..trukohemi.. Pale kur mendon se Tirana përveç halleve me overdozë brenda familjes,pas  i është qepur edhe djalli zyrtar për ta shtrydhur deri në frymën e fundit.Një shpirt i keq që po kujdeset që ta “varrosë”  sa më thellë, që kur të ringjallet me urdhër, të na duket si një mrekulli shqiptare. Nuk besoni? Mos pyesni Dinamon se po e mbajnë kastile në morg, por shikoni trupin e Partizanit, ku shenjat në lëkurën e tij s’ka tatuazh kampioni që i mbulon..

Sfidanti.al