E thotë edhe Barcelona, në biznesin e futbollit, s’ka nevojë të fitosh!

Emblema e kësaj parulle ka qenë për gjithë këta vjet Mançester Junajtidi. Klubi anglez vazhdimisht ka qenë ndër më të vlerësuarit financiarisht në botë, dhe ka pasur xhiro e fitime nga më të mëdhatë në rruzull, edhe pse prej kohësh nuk ka qenë në Ligën e Kampionëve, ndonëse tani kjo ndryshoi. Është një klub tjetër që po ecën në këtë rrugë dhe bëhet fjalë për atë të Barcelonës.

Katalanasit tregojnë se edhe pse mund të fitosh pak në fushën e lojës, vetëm një Kupë të Mbretit, mund të fitosh shumë para jashtë saj. Raporti i fundit financiar i klubit, i miratuar nga bordi drejtues, tregon se xhiroja vjetore mbërriti në rekordin botëror prej 708 milionë eurosh, me një ngritje në krahasim me 695 që ishte rekordi i kaluar. Këtë nuk e ka bërë dot as Reali i Madridit, që fitoi Championsin dhe La Ligën.

Natyrisht, Lionel Mesi nuk u bind nga ky raport për të firmosur kontratën e re, pasi ylli argjentinas kërkon të fitojë trofe, dhe besohet se Barcelona do të bëjë çmos që të kthehet e madhe që sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, me një bazë të madhe tifozësh, me një emër të madh që ka jehonë të gjatë, me ndihmën e veprimtarive bamirëse si ato të UNICEF-it, dhe me yje të spikatur si Mesi, Nejmar, Suarez, Iniesta apo Pike, një klub mund të jetë më i miri në botë financiarisht, edhe kur nuk fiton shumë kupa.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *