Tifozët e Barcelonës në alarm, por Mesi i qetëson për të ardhmen

“Po afron koha e tërheqjes”. Këto fjalë të kapitenit shkaktuan një tronditje të thellë tek tifozët e Barcelonës, të shqetësuar për të ardhmen e Lionel Mesit. Argjentinasi foli për moshën e tij të shtyrë dhe për afrimin e mbylljes së karrierës, ndërsa mori Topin e Artë, por menjëherë shtoi edhe disa fjalë të tjera. Tifozët janë në “ajër” edhe për rinovimin e tij, ndaj Mesi u desh të ndalej edhe këtu.

“Njerëzit në Barcelonë e dinë se dashuria ime për klubin është shumë më e madhe sesa një firmë në kontratë, – deklaroi ai, – nuk kam asnjë lloj problemi me këto tema. Dua që të jem sa më mirë këtu. Shpresoj të kem edhe shumë vite të tjerë në karrierën time për të vazhduar fitoret. Gjithçka do të varet nga forma fizike, por sot për sot jam më mirë se kurrë”. Mesi theksoi se nuk mendon shumë për trofetë individualë, por ëndërron të fitojë sërish Championsin, si dhe të fitojë Kupën e Amerikës me Argjentinën, pse jo Kupën e Botës.

Sfidanti.al