Tamam për histori: Ka shënuar kosha në katër dekada të ndryshme!

Qëkur dy muaj më parë, ai tha se do të luante edhe një sezon tjetër në NBA, ishte e qartë se Uins Karteri (42 vjeç), nëse do të gjente klub të ri, do të hynte në historinë e ligës më të fortë të bsketbollit në botë dhe kjo për dy arsye.

Basketbollisti veteran nënshkroi kontratë me Atlanta Hoksin që do të thotë se ai do të luajë sezonin e tij të 22-të në NBA, duke dalë kështu një sezon para Dirk Novickit, Robert Perishit, Kevin Uilisit dhe Kevin Garnetit që kanë luajtur 21 sezone në NBA.

Por ajo që është më e rëndësishme, është se, nëse Karteri do të luajë të paktën një ndeshje mbas 1 janarit 2020, atëherë ai do të arrijë atë që nuk e ka arritur asnjë basketbollist tjetër para tij – të luajë në katër dekada të ndryshme!

Karteri ka debutuar më 1999 me bluzën e Toronto Raptorsave, ndërsa më pas ai ka luajtur në dekadat 2000-2009 dhe 2010-2019, ndërsa tani ai ka shansin historik që të luajë edhe në dekadën 2020-2029. Një gjë të tillë jo vetëm që nuk e ka bërë askush para Karterit, por vështirë se edhe do të mund ta përsërisë këtë gjë.

Gjatë sezonit të kaluar, Karteri luajti në 76 ndeshje, në të cilat ai ka qenë në fushë mesatarisht 17,7 minuta dhe ka realizuar mesatarisht 7,6 pikë për ndeshje, por, sidoqoftë, më i rëndësishëm është roli i tij si mentor i të rinjve të talentuar.

Sfidanti.al