Ronaldo shënoi dy gola, por tek Juvja gëzohen më shumë për Dibalën!

U desh të hidheshin në fushë katër sulmues për t’u fituar ndeshja në 12 minutat e fundit, por kampionët e merituan. Një Xhenoa-Juventus 1-3 është diçka normale për Serinë A, po ashtu është normale që Kristiano Ronaldo shënoi dy gola, madje është sërish normale kur i shënon me penallti, veçse gëzimi më i madh tek “Zonja e Vjetër” ishte për Dibalën. Argjentinasi realizoi golin e epërsisë 1-0 në 55’, dhe trajneri Andrea Pirlo theksoi me kënaqësi se “Paulo tashmë është zhbllokuar dhe ka fituar formën e tij të zakonshme”.

Ish-juventini Sturaro barazoi shpejt, por Pirlo forcoi sulmin dhe fitoi ndeshjen. Në fushë ishin Ronaldo, Dibala, Morata dhe Kieza, ndërsa Kuadrado dhe Morata fituan dy 11-metërshat që i ktheu në gol Ronaldo, në ndeshjen e tij numër 100 për Juven. Kampionët kanë 23 pikë, po aq sa Napoli dhe një më pak sesa Interi, por me rëndësi është fakti që janë 4 pikë larg kreut pas barazimit të Milanit me Parmën.

Sfidanti.al