Një hero dhe shumë turpe në Kupën e Mbretit në Spanjë

Konflikte verbale dhe “disi” fizike janë parë shumë në futboll, por ai që ndodhi në stadiumin “Mestaja” të Valencias meriton vend të veçantë, padyshim në “karrigen e turpit”. Pati grushta e shkelma si dhe fytyra të gjakosura, ndërsa futbollistët e Valencias e të Getafes e mbyllën në këtë mënyrë ndeshjen e Kupës së Mbretit.

Forcat e sigurisë private e patën të vështirë të ndalonin dhunën, ndërsa fat ishte që tifozët nuk hynë në fushë. Lojtarët dhe pjesëtarët e stafeve teknike u përleshën edhe në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes, ndërsa nuk munguan të sharat dhe kërcënimet për gjyqtarët.

Arbitri kryesor i ndeshjes, Havier Estrada Fernandez mbushi një letër të gjatë me incidentet gjatë dhe në fund të ndeshjes, dhe me kartonët që dha (mes të cilëve, dy të kuq). Gazeta “Marka” arriti ta fotografonte, ose ta gjente foton e dokumentit, duke e botuar.

Valencia u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit falë tre golave të shënuar nga Rodrigo Moreno. Getafe kaloi në avantazh që në minutën e parë, me anë të Horge Molinës, dhe kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë. Rodrigo barazoi në 61’, ndërsa drama ishte e gjitha në minutat shtesë, kur ai realizoi edhe dy gola, në një kualifikim që dukej i pamundur.

Sfidanti.al