Një “dolli” për “Ndeshjen 1000”, CR7 barazon rekordin në Serinë A!

Sfida ishte jubilare nga ato që luhen vetëm një herë në jetë, dhe që nuk e kanë fatin t’i luajnë të gjithë. Kristiano Ronaldo doli për herë të 1 000-të në fushë si futbollist profesionist, pra luajti ndeshjen e tij të 1 000-të, “gur kilometrik”I arritur pas 18 vitesh karrierë, dhe arriti t’i festonte siç i kishte hije. Me golin e shënuar në stadiumin e SPAL-it në Ferrarë, ylli i Juventusit barazoi rekordin e Serisë A, duke shënuar në 11 ndeshje radhazi. Për momentin, është në një nivel me Gabriel Batistutën dhe Fabio Kualjarelën.

Javën që vjen do të ketë mundësi të synojë thyerjen e rekordit, diçka që do ta bënte në sezonin e dytë në Itali. Falë tij, Juventusi fitoi 2-1, një sukses i vështirë, ndonëse trajneri Sarri deklaroi se “pashë shenja pozitive”. Dibala ishte njeriu që “i dha ngjyra futbollit”, ndërsa Kielini ishte muri që nuk lejoi pësimin e golave. Aron Ramsej shënoi golin e dytë, dhe luajti ndeshjen e tij më të mirë që pas mbërritjes në Torino, ndërsa për vendasit shënoi me penallti Andrea Petanja. Juventusi kryeson Serinë A me 60 pikë në 25 ndeshje, 4 më shumë sesa Lacio që nuk e ka luajtur ende ndeshjen e saj.

Sfidanti.al