Milan pse mbetesh “liliput”, Interi është dyfish më i madh!

E keqja nuk është vetëm e kuqezinjve, por në përgjithësi e Serisë A. Klubet italiane kanë humbur shumë terren në renditjen e fuqive të futbollit europian, dhe kanë dalë jashtë 10-es së parë. Gjashtë klube aty janë nga Anglia, dy nga Spanja, një nga Gjermania dhe një nga Franca. Juventusi është i 11-ti, Interi i 14-ti, ndërsa Milani i shquar (7 herë kampion i Europës) ka zbritur në vendin e 22-të. Më keq se kaq nuk mund të bëhet. Klubi i madh milanez vlen vetëm 526 milionë euro, më pak se Roma e Napoli, dhe gati sa gjysma e Interit, vlera e të cilit arrin në 983 milionë euro. Ende pak në krahasim me gjigandët, por gjithsesi zikaltërit e kanë rritur me mbi 140 për qind vlerën e tyre kohët e fundit, falë sponsorizimeve të kinezëve.

Sidoqoftë, momenti i Serisë A është negativ, edhe me afrimin e Kristiano Ronaldos, apo rikthimin e Zllatan Ibrahimoviçit.  Italianët kanë 6 klube në 32 të parët, një numër jo i vogël, por vlera e tyre në total është më e vogël sesa ajo e 3 klubeve që përfaqësojnë Bundesligën (Bajerni, Dortmundi, Lajpcigu), pasi është 12 për qind e vlerës totale, ndaj 13 për qind të vlerës së gjermanëve. Premier Liga ka 9 klube me vlerën 41 për qind të totalit, ndërsa La Liga është e dyta me 7 klube dhe 23 për qind.

Sfidanti.al