Në futbollin shqiptar nuk ka shkelje vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshje!

Leja e dhënë është vetëm për stërvitje individuale. Gjithsesi, si në shumë fusha të tjera në Shqipëri, rregullat shkelen edhe në futboll. Skuadrat e Superligës kanë nisur miqësoret, me synim që të kapin sa më shumë që të jetë e mundur, formën për rifillimin e sezonit që pritet në 3 qershor. Pra, jo vetëm shkelje me stërvitje kolektive, por edhe me ndeshje në stadiume.

Teuta fitoi 4-0 në “Niko Dovana” të Durrësit me Erzenin e Shijakut. Skuadra e trajnerit Edi Martini shënoi dy herë me anë të sulmuesit shkodran, Rubin Hebaj, dhe nga një herë me Sherif Kallakun e Dejvid Kapllanin. Teuta e pati sfidën si test një javë para ndeshjes së pritshme ndaj Laçit.

Flamurtari, ndërkaq, zhgënjeu plotësisht. Në stadiumin e vet, skuadra e Superligës u mund nga Oriku shumë më modest të Kategorisë së Parë, që drejtohet nga trajneri Eqerem Memushi. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në pjesën e parë nga Kongjoni, në minutën e 43-të. Oriku u duk më mirë fizikisht sesa lojtarët kuqezinj të trajnerit Marselo Troizi, të cilët gjithashtu kishin disa mungesa. Oriku pati mundësi të fitonte më thellë, pasi kishte në dispozicion një 11-metërsh pranë fundit të ndeshjes, veçse e shpërdoroi.

Sfidanti.al