Kush tha se mrekullitë nuk ndodhin? A e patë që Bajerni u mund në Hofenhajm?!

Jo vetëm që u mund, por edhe e pësoi keq. Bajerni i Mynihut, ekipi që po vlerësohej si i një planeti tjetër, jo thjesht si më i miri në Gjermani apo në Europë, u shkatërrua në fushën e Hofenhajmit, në duelin e Bundesligës. Sfida e vlefshme për javën e tretë u mendua se do të ishte një tjetër shëtitje e kampionëve të Europës e të Gjermanisë, por vendasit kishin mendim krejt tjetër, duke triumfuar 4-1.

Në mos një paralajmërim për një humbje të mundshme të titullit, ky realitet ishte një zgjim i dhimbshëm për bavarezët, për të kuptuar se në futboll mund të zbresësh në “ferr” shumë shpejt pasi je ngjitur në “parajsë”. Të pathyeshmit e të paprekshmit e trajnerit Hansi Flik nuk përballuan dot një ekip shumë më modest, por që luftoi shumë fortë, pak a shumë e njëjta gjë siç i ndodhi Dortmundit një ditë më parë në fushën e Augsburgut.

Ermin Biçakçiç, Munesh Dabur dhe dy herë Andrej Kramariç ishin autorët e golave për Hofenhajmin, ndërsa Xhoshua Kimih thjesht ngushoi përkohësisht shifrat në 1-2 për Bajernin. Kjo do të thotë se Hofenhajmi ka tani 6 pikë, pra dy fitore në ndeshje, duke u ndodhur në krye të renditjes me golaverazhin 7-3, ndërsa në vend të dytë është surpriza tjetër e fillimit të sezonit, Augsburgu.

Sfidanti.al