Kristiano Ronaldo arrin të kalojë Mesin, por vetëm si golshënues

Kur ai është në fushë, gjithçka është më e lehtë. Kristiano Ronaldo, ndoshta nuk mund të bëjë mrekullitë e Lionel Mesit, por si golshënues nuk ka të sharë. Topi i Artë dhe lojtari më i mirë në botë sipas FIFA-s, vitin e kaluar, siguroi fitoren e rëndësishme të Realit në fushën e vështirë të Eibarit në La Liga.

Portugezi ishte autor i të dy golave në suksesin 2-1, madje rrjeta e dytë erdhi kur Madridi po i humbte shpresat, 6 minuta para fundit. Prej dy vjetësh i kthyer në një qendërsulmues, Ronaldo është përshtatur më së miri, falë shpejtësisë, forcës fizike, ambicies dhe nuhatjes për golin.

Eibari duhej të kishte merituar më shumë. Skuadra vendase, shumë më modeste sesa Reali, detyroi portierin Keilor Navas që të bënte disa pritje, dhe e mposhti me të nisur pjesa e dytë. Ishte numri 4 i Eibarit që dërgoi topin në rrjetë, gjë që kujtoi numrin 4 të madrilenëve, Sergio Ramosin. Atyre u ndryshon vetëm një shkronjë tek mbiemri, Ramos quhet kapiteni i Realit, Ramis është lojtari i Eibarit.

Gjithsesi, fjalët e fundit do ta thoshte një numër 7, pikërisht ai që luan për trajnerin Zidan. Kristiano Ronaldo ka tani 18 gola në renditjen e shënuesve të La Ligës, 6 më pak sesa Mesi, ndërsa e ka kaluar argjentinasin e Barçës në numrin total të rrjetave këtë sezon, me 33 ndaj 32.

Sfidanti.al