Kristiano, Ramos, Kros, Marselo, Isko, Karvahal, sa mungesa Reali!

Nuk është nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, sidomos sepse shpresat për titullin kampion kanë “avulluar” me kohë. Kjo ka bërë që Zinedin Zidan të “krasisë” rëndshëm Realin e tij që do të luajë sot në orën 18:30 në fushën e Las Palmasit për La Ligën. Trajneri francez ka lënë jashtë grumbullimit disa prej lojtarëve të tij kryesorë.

Kristiano Ronaldo dihej që më parë që do të rezervohej për Juventusin, ndaj të cilit luhet të martën në Torino, për Ligën e Kampionëve. Perveç golshënuesit më të mirë, do të mungojë edhe kapiteni Sergio Ramos, po ashtu edhe futbollistët e tjerë vendimtarë si Marselo, Kros, Isko e Karvahal. Gazeta “Marka” shkruan se, më në fund, mungon edhe Sebajos, ndërsa në skuadër janë përfshirë të rinjtë “kanterano” Tehero dhe Oskar.

Reali, gjithsesi, nuk mund t’i lejojë vetes të gabojë, pasi ndodhet në vendin e tretë, dhe Valencia është vetëm 1 pikë larg. Nëse “i rrëshqet këmba”, atëherë mund të përfundojë në vend të katërt në La Liga dhe ta nisë Championsin e ardhshëm nga plej ofi.

Sfidanti.al