Kapitenëve të Kombëtares ua presin gjuhën, Rudi Vata lëshon zjarr !

E quajnë me shpoti “Mister 1 votë” qyshkur  guxoi të rivalizonte kundër presidentit Duka, disa vite më parë. Atëherë , ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata  u tradhëtua ekstremisht nga “burrat e futbollit”, në një Asamble historike nga imoralteti,  ku dallaveri u konvertua si ..verdikt i kulluar. Por, ndryshe nga humbësit e tjerë, Vata, ish-kapiteni, ndryshe edhe nga ish-kapitenët që dhurojnë spektakël   servilizimi dhe përuljeje ndaj  pushtetit që tredh topin dhe karakterin , shkodrani ka vazhduar luften e tij, pa kompromis , tipike skoceze, duke zbuluar një identitet të pathyeshëm. Kur fliste për ndeshjet e trukuara apo për futbollin e fabrikuar, e akuzonin se kishte një problem të madh me veten e tij, ngaqe nuk njihte mirë realitetin. Nje realitet, i cili edhe pse dallohej me lehtesi që ofronte  pak lojë dhe shumë dhunë, ama, në fund të tunelit ..qarkullonin shumë para.

Edhe në rastin e trajnerit Gjoka, ku misioni i futbolli u çnderua në mënyrë mesjetare,  Rudi ka dalë në arenë me uniformën e tij të “gladiatorit”  për të tundur e për të shkundur një mjedis të gjymtuar nga hipokrizia,  një armate te trukuar menderisht, aq  sa dalldiset që në emër të luftes për topin, gënjeshtra fiksohet si 1 ne skedinën e basteve, kurse e vërteta është blofi, pra 2-shi!. Fjalët e tij për gazetarët sportiv në Shkodër janë të rënda. Bile po të pyetej se cili i ka thënë, kuptohej ,afërmendsh, se cili tjetër veç Vatës mund t’i thoshte: “E kuptoni ku është katandisur qyteti?! Janë 3-4 gazetarë që ndihen të fuqishëm në Shkodër, pasi punojnë për dështimin e trajnerit të radhës, flasim për Gjokën aktualisht, por të njëjtën gjë kanë bërë edhe me Cungun.

Të kuptohemi,- bëhet gati Vata për një shuplakë flakeruese – këta janë njerëz që kanë ardhur në Shkodër me gomarë nga fshatrat e thella. E keqja është se kjo pjesë e medias është bërë klan për t’ia bërë jetën të vështirë trajnerit me provokime në çdo moment. Si ka mundësi që këta njerëz që nuk lënë gjë pa thënë, pastaj dalin sikur kanë ndjenja dhe emocione për Vllazninë… Për të gjitha këto, Gjoka nuk është i lumtur në Shkodër, sepse i ka ndodhur diçka që nuk ndodh as në Kolumbi apo Meksikë, ku njerëzit janë nën ndikimin e drogës”

Sfidanti.al