Inter ke kohë për t’u rritur, Seria A është ende e Juventusit!

Antonio Konte është një kolos, por nuk ka shkopin magjik. Interi nuk mund të bëhet Juventus për pak javë, kur për gati 9 vjet humbi terren aq shumë sa nuk mund të imagjinohej. Nëse lexohet kështu, ndeshja e luajtur në “San Siro”, as kampionët në fuqi nuk do të kenë euforinë e skajshme, dhe as zikaltërit nuk do të bien në pesimizëm të thellë. Juventusi fitoi 2-1, i shkaktoi Interit humbjen e parë në Serinë A dhe u ngjit në krye, veç Konte e kishte parashikuar, duke thënë se “Juvja (madje edhe Napoli) është përpara nesh”.

Sfida e luajtur në kryeqendrën e Lombardisë e konfirmoi këtë realitet. Më e kolauduar skuadra torineze, më autoritare, më me përvojë dhe me kampionë të sprovuar si Ronaldo, Higuain (pas pushimit), Pjaniç, Bonuçi, Kedira apo Dibala. Ashtu si shkoi ndeshja, vendasit do të ishin kënaqur edhe me barazimin, por Konte nuk e ka stolin e Sarrit, që mund të bëjë zëvendësime sipas dëshirës.

Paulo Dibala shënoi që në fillim për miqtë, pas asistit të marrë nga Miralem Pjaniç. Kampionët morën edhe më shumë zemër dhe Ronaldo goditi shtyllën. Lautaro Martinez barazoi me penallti për Interin, pasi De Ligt preku topin me bërryl, ndërsa CR7 shënoi një gol që u anulua me të drejtë për pozicion jashtë loje. Pas pushimit, Sarri hodhi në fushë Gonzalo Higuainin dhe Betankyrin, më pas edhe Emre Xhanin, ndërsa Interi humbi Godinin të dëmtuar. Në fund, sërish Pjaniç dha asistin për Higuainin që vulosi fatin e sfidës. Juventusi kryeson Serinë A me 19 pikë ndaj 18 të Interit, pas 7 javësh kampionat.

Sfidanti.al