Hysaj në udhëkryqin e karrierës, Italia, Anglia dhe Franca në fatin e tij!

Nuk po kalon momentin më të mirë, por mbetet i kërkuar. Elseid Hysaj mundet edhe të zëvendësohet, edhe të lihet në stol, por është padyshim një futbollist mjaft i kërkuar, dhe përveçse në Itali e Angli, duket se pëlqehet edhe në Francë. Mediat franceze njoftojnë se interesim për kapitenin e kombëtares shqiptare po tregon Olimpiku i Lionit, një nga klubet më të rëndësishëm të Ligës së Parë.

Trajneri Rudi Garsia mund të humbasë mbrojtësin Tete, që pritet të kalojë tek Roma në Serinë A, dhe ai bashkë me stafin e tij ka piketuar edhe Hysajn si zëvendësues të mundshëm. Bashkë me mbrojtësin e djathtë shqiptar, alternativë për Lionin është edhe lojtari i Romës, Florenci. E ardhmja e Hysajt sidoqoftë mund të jetë edhe tjetërkund.

Është diskutuar shumë këto kohë për një transferim të tij të mundshëm tek Roma po në Serinë A, me trajnerin Fonseka që e vlerëson si futbollist të rëndësishëm për planet e tij, nëse do të jetë e mundur që të merret. Lajmet nga Anglia kanë qenë edhe më konkrete, pasi është njoftuar se trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, ka qenë i gatshëm të japë deri 50 milionë euro për kartonin e tij.

Agjenti i kapitenit të kombëtares, Mario Xhufredi, u shpreh vetëm dy ditë më parë se lojtari ka shumë alternativa. “Nuk është vetëm Roma, – u shpreh Xhufredi, – Elseidi kërkohet nga disa klube në Europë”. Hysaj, për momentin, po luan shumë pak tek Napoli, duke mos qenë zgjedhje e parë e trajnerit Karlo Ançeloti. Në kombëtaren shqiptare, gjithsesi, është paraqitur më mirë duke arritur të shënojë edhe gol në fitoren 4-2 ndaj Islandës në “Elbasan Arena”.

Sfidanti.al