Kur sirena lajmëroi fundit, tifozët e Baskonias së Vitoria-Gasteizit u hodhën përpjetë të lumtur. Skuadra e tyre spanjolle (dhe baske) sapo kishte mundur kampionen e Europës në fuqi, CSKA-në e Moskës me shifrat 80-70. Ishte kjo disfata e tretë e superfuqisë ruse, që e ka fituar Euroligën (plus Kupën e Kampionëve) 8 herë, duke qenë e dyta më e mirë për të gjitha kohët, pas Realit të Madridit (12). Skuadra e trajnerit Dhimitrios Itudis nuk po gjen dot formën e saj më të mirë.
Në krizë shumë më të thellë ish-kampionia Fenerbahçe, një nga skuadrat më të mira të Europës në 3-4 sezonet e fundit. Edhe pse sërish e drejtuar nga trajneri legjendar Zheljko Obradoviç, skuadra turke ka pësuur 7 humbjë në 9 ndeshje, duke qenë në vend të parafundit! Disfata e mbrame ishte në “Palau Blaugrana” të Barcelonës, 63-89. Hierarkia e Euroligës duket se po ndryshon, pasi në krye është Barça e përforcuar me Nikola Mirotiçin nga NBA-ja, e pas saj nënkampionia e Europës në fuqi, Anadolu Efes, skuadra historike e Olimpias së Milanos (AX Armani) si dhe emri tjetër i shquar, Makabi i Tel Avivit. Natyrisht, CSKA nuk është larg, siç mbetet në pretendime edhe Panathinaikosi.
Sfidanti.al