Reja merr “bekimin” në FSHF si trajneri më i vjetër në Europë!

Një mbledhje formale, por sërish e rëndësishme. E tillë ajo e sotmja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku presidenti Armand Duka informoi për rinovimin me trajnerin Edi Reja. Duka është autoriteti i vetëm, sipas rregullave të Federatës, që vendos për teknikun e kombëtares, por gjithsesi e diskuton këtë në bordin drejtues.

Italiani rinovon me kushtet financiare të mëparshme, me kontrate deri në mars 2022, me klauzolë për të qenë edhe në Botëror nëse Shqipëria kualifikohet. Rroga e tij mujore mbetet ajo që ka qenë, 22-23 000 euro në muaj, ndërsa shpërblimi për kualifikimin në Botëror arrin në 200 000 euro.

Vetë italiani ka folur që nga vendi i tij, i intervistuar nga faqja në interne, “laciosiamonoi”. “Është një sfidë shumë e bukur, – u shpreh Reja, – një projekt i fortë që më jep entuziazëm të madh. Do të kem mbikqyrjen e gjithë strukturave të futbollit të kombëtareve në Federatë. Do të më pëlqente nëse do të kishte ndonjë trajner më të vjetër se unë në detyrë”.

Edi Reja është vërtet trajneri më i vjetër në Europë, në moshën 74-vjeçare. Ai lë pas emra të njohur si Roi Xhoxhson, që drejton Kristël Palasin në Premier Ligën angleze. Po ashtu, italianin Klaudio Ranieri, që sot është trajner i Sampdorias në Serinë A, në moshën 68-vjeçare. Po 68 vjeç është trajneri i Kosovës, Bernar Shaland, një veteran i stolit nga Zvicra, ndërsa pak më i ri është Fridhelm Funkel, trajner i Fortunës së Dyseldorfit në Bundesligën gjermane, që ka mbushur 65 vjeç. Reja është më i vjetër sesa legjenda gjermane, Jup Hajnkes, që u largua nga Bajerni në moshën 72-vjeçare.

Sfidanti.al