Hysaj, i pari lojtar në Serinë A të sotme me 188 ndeshje pa gol!

Prej 6 vjetësh është në elitën e futbollit italian, dhe u duk se nuk do t’ia dilte kurrë. Elseid Hysaj nuk kishte shënuar asnjë gol në Serinë A, as me Empolin dhe as me Napolin, ndërsa ky rekord negativ u ndërpre mbrëmjen e djeshme kur e dërgoi topin në rrjetën e Sasuolos. Ishte një gol tepër i rëndësishëm për Napolin që fitoi 2-0 ndaj një kundërshtari të rrezikshëm, dhe mbajti gjallë shpresat për në Ligën e Europës. Po ashtu, gol i rëndësishëm për Hysajn që fiton më shumë besim në vetvete në fazën sulmuese të lojës. Natyrisht, ai është mbrojtës, dhe detyra kryesore është të mbrojë, por nuk është keq as kur shënon. Hysaj kishte 188 ndeshje pa gol, diçka që nuk i kishte ndodhur asnjë lojtari të kësaj kohe të Serisë A. “Jam shumë i kënaqur, për më tepër që po e shënoj me këtë fanelë, – u shpreh Hysaj, – golin ia dedikoj gruas sime dhe fëmijë, e shpresoj të kem edhe fëmijë të tjerë”. Mbrojtësi shqiptar deklaroi se ndaj Barcelonës në Champions nuk duhen bërë gabimet që u bënë ndaj Sasuolos, dhe se ekipi i tij ishte me fat që lojtarët kundërshtarë ishin pozicion jashtë loje dhe iu anuluan 4 gola.

Sfidanti.al