Nico Paz ka shpjeguar arsyet pse vendosi të mos rikthehej te Real Madridi gjatë verës së kaluar, pavarësisht dëshirës së fortë të klubit spanjoll për ta rikthyer në “Santiago Bernabéu”. Mesfushori argjentinas, i cili po shkëlqen nën urdhrat e Cesc Fàbregas te Como, deklaroi se zgjodhi rritjen e tij profesionale përpara emrit të madh të Real Madridit, pasi konkurrenca në skuadrën “Los Blancos” do t’ia vështirësonte ndjeshëm mundësinë për të luajtur rregullisht. Me një organikë të mbushur me yje si Bernardo Silva, Jude Bellingham dhe Arda Güler, minutat për Paz do të ishin të limituara, ndaj ai preferoi të qëndronte te Como. “Mendova se këtu (te Como) ishte vendi ku do të rritesha më shumë. Besoj se mora vendimin e duhur dhe jam i lumtur që e bëra këtë”, u shpreh Paz pas debutimit historik në Champions League.
Pas vendimit të lojtarit, Como pagoi 60 milionë euro për të blerë përfundimisht kartonin e tij, ndërsa Real Madridi ka ruajtur kontrollin mbi talentin argjentinas, duke pasur një opsion riblerjeje prej 80 milionë eurosh për vitin e ardhshëm. Pas ndeshjes në Champions League, ku Como dhuroi një paraqitje të shkëlqyer, legjenda e futbollit italian, Fabio Capello, foli drejtpërdrejt me Paz dhe i kërkoi të japë edhe më shumë. “Unë kërkoj shumë nga ty. Kur nuk ke një rendiment të jashtëzakonshëm, nuk jam i lumtur. Sonte nuk ishe perfekt, mund të japësh akoma më shumë. Ti je obsesioni im”, i tha Capello mesfushorit argjentinas.

