Dominim i Liverpulit, por Alison i hoqi fitoren Man. Junajtidit!

Një rezultat që i shkon më shumë për shtat miqve. Përfundoi 0-0 sfida e madhe e Premier Ligës angleze mes Liverpulit e Mançester Junajtidit, me kryesuesit që mbrojtën pozicionin e tyre përballë ofensivës së kampionëve në fuqi. Skuadra vendase pati epërsi absolute në zotërimin e topit, me mbi 66 për qind, por ashtu dominoi në gjuajtjet drejt portës, me 18 të tilla ndaj 7 të “djajve të kuq”, por gjithsesi, në fund pati nevojë për klasin e portierit Alison për të marrë të paktën pikën. Bruno Fernandes e Pol Pogba patën rastet më të pastër të ndeshjes, por nuk u lejuan nga braziliani.

Me këtë barazim, të besuarit e trajnerit Jurgen Klop jo vetëm humbën shansin të kapnin Junajtidin në krye, por edhe humbën vendin e dytë, diçka që tregon se nuk janë aspak në formën e tyre më të mirë. Megjithë agresivitetin ofensiv, të kuqtë vuajtën përballë një mbrojtjeje të fortë thuajse me 5 lojtarë, ndërsa mungesa e tre qendërmbrojtësve ka dobësuar mesfushën. Fabinjo është tërhequr prapa, ndërsa lojtarët në qendër duhet të mbulojnë vrimat e krijuara në repartin difensiv. Një sezon vërtet i vështirë për Liverpulin dhe do të ishte mrekulli nëse Klopi do të arrinte ta mbronte titullin e fituar vjet.

Po Mançester Junajtidi? Sërish nuk arriti të fitonte ndaj një rivali të madh, siç nuk ka bërë as ndaj Totenhemit, Mançester Sitit, Çelsit dhe Arsenalit. Gjithsesi, ka ditur të mundë ekipet e vegjël dhe të mbledhë pikët e duhura për të qenë pretendent për Premier Ligën. Ky sezon i kampionatit anglez duket se do të jetë tepër i fortë dhe fati i tij mund të vendoset në fund, ndërsa Junajtid, Liverpuli, Siti, Leister apo Totenhemi janë kandidatë për kurorën.

Sfidanti.al