Dinamo e Zagrebit, kush është Superfuqia kroatë përballë Skënderbeut?!

Një Dinamo pa titull është një çudi, por edhe një rrezik. Superfuqia e futbollit kroat, rivale e Skënderbeut në Ligën e Europës, e ka nisur sezonin me mendjen të mbledhur për revansh. Rivali i përjetshëm, Hajduku i Splitit, dhe kampionia në fuqi, Rijeka, e provuan zemërimin e ekipit nga Zagrebi, që fitoi bindshëm dhe është favorit për titull që tani në gusht.

Tifozët shqiptarë kanë një pyetje: Sa e fortë është kjo Dinamo, dhe a ka shanse Skënderbeu për ta kaluar dhe për të shkuar në fazën e grupeve? Përgjigja është që zagrebasit janë të fortë, edhe pa disa nga lojtarët e dy viteve më parë, mbi të gjitha Marko Pijacën dhe Marko Rogun. Trajneri i ri, Mario Cvitanoviç, ka arritur në pak javë të krijojë një lojë skuadre, dhe padyshim kroatët janë favoritë ndaj korçarëve.

Dinamo ka edhe shqiptarë në radhët e saj. Ja mbrojtësi i Kosovës, ish-lojtari i Shqipërisë, Amir Rrahmani, që debutoi me gol me fanelën e re. Cili është synimi i Rrahmanit ndaj Skënderbeut? “Po natyrisht, që edhe klubi, edhe unë, kemi dëshirë që të dalim kampionë të Kroacisë, të fitojmë Kupën, dhe të kualifikohemi në fazën e grupeve në Ligën e Europës”, – thotë shkurt ish-lojtari i Partizanit.

Dinamo tashmë ka sërish një tjetër lojtar me origjinë shqiptare, dhe që luan për Maqedoninë. Arijan Ademi rikthehet nga pezullimi për doping pikërisht kundër Skënderbeut, dhe tregon emocionet e  ditës së parë. “Isha pak pa gjumë, nuk fjeta shumë mirë, por u zgjova në mëngjes dhe i thashë vetes se më presin në stërvitje, – tha ai duke qeshur, – Pas kaq kohësh nisa jetën normale si futbollist”.

Për të kuptuar diferencën mes klubeve shqiptarë dhe atyre kroatë, mjafton një fakt. Dinamo po organizon në Zagreb një turne ndërkombëtar për të rinjtë, Kupa Ramljak, ku merr pjesë edhe Reali i Madridit, Fejënordi, Frankfurti, Ferencvaroshi apo Austria e Vjenës. Të rinjtë e Dinamos e mundën Realin 2-1. Një klub i tillë, fitues i Kupës UEFA në 1967, me buxhet 20 herë sa Skënderbeu, do të jetë rivali i ekipit më të mirë shqiptar të viteve të fundit.

Sfidanti.al