Ivana Shpanoviç është një nga sportistet më aktuale në opinionin publik sportiv, mbas situatës së pakëndshme, në të cilën ajo u ndodh në kampionatin botëror të atletikës që sapo përfundoi në Londër. Ajo konsiderohej si një nga favoritet kryesore për titullin e kampiones në garën e kërcimit së gjati për femra në Londër, por arriti që të zërë vetëm vendin e katërt, ndërkohë që e gjithë bota ishte dëshmitare se në provën e saj të fundit, atë të gjashtë, ajo kërceu më larg sesa të gjitha konkurrentet e saj.
Megjithëse ajo kërceu mbi 7 metra që do të mund t’i sillte asaj, të paktën, medaljen e argjendtë, etiketa me numrin e konkurrimit u shkëput nga trupi i saj në momentin më të keq të mundshëm dhe preku rërën, duke lënë gjurmë në të, pikërisht, para vendit, ku ajo preku rërën. Dhe, kështu gjyqtarët matën distancën deri te gjurma e etiketës në rërë dhe jo atë të kërcimit të saj, duke ia shkurtuar kështu distancën e kërcimit.
Sidoqoftë, megjithëse ankesa e Shpanoviçit dhe e ekipit serb nuk u mor parasysh nga komisioni pëkatës i kampionatit botëror të atletikës, i gjithë rasti është dërguar për t’u zgjidhur në Gjykatën e Arbitrazhit të Lozanës.
Sfidanti.al