Bundesliga, Mavraj nuk mjafton për Këlnin dëmtohet Abrashi!

Mërgim Mavraj luajti si pretendent për titull në Bundesligë, por kryendeshja e javës në Berlin nuk ishte me fat. Mbrojtësi shqiptar, në fushë nga fillimi deri në fund për Këlnin, provoi sesa e vështirë është këtë sezon të luash në stadiumin e Hertës. Kryeqytetasit fituan 2-1 dhe parakaluan Këlnin në renditje, duke qenë ata më pranë se gjithë të tjerët me Bajernin. Boshnjaku Ibisheviç kaloi Hertën në epërsi, golshënuesi i përhershëm Modeste barazoi, por Shtark vendosi sfidën.

Fitore për lojtarin tjetër të kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, por me kosto të lartë. Mesfushori doli nga fusha që në minutën 17-të, me dëmtim në kavilje, dhe shqetësimi është i madh nëse do të jetë gati për sfidën e Botërorit ndaj Izraelit, në 12 nëntor. Frajburgu respektoi parashikimet duk mundur 2-1 në shtëpi Augsburgun.

Fat i ndryshëm për dy shqiptarët e Zvicrës. Shani Tarashaj shënoi për Frankfurtin në fitoren 3-0 në fushën e Hamburgut, ndërsa Admir Mehmedi pësoi një humbje të rëndë me Leverkusenin, 0-3 në fushën e tij ndaj Hofenhajmit. Mehmedi u zëvendësua në 57’.

Dortmundi e pati shumë të vështirë në Ingolshtat, thuajse humbi, por forca e karakterit dhe klasi i dhanë barazimin 3-3. Skuadra pa emër vendase kryesoi 2-0 me golat e Kohenit e Leskanos, pastaj 3-1, por djemtë e Tomas Tuhelit u mbajtën në këmbë. Obamejang shkurtoi shifrat në 1-2, Leskano shënoi të tretin për Ingolshtatin, ndërsa Ramos e Pulishiç u përgjigjën, me golin e barazimit në sekondat shtesë.

Java 8, Herta-Këln 2-1, Hamburg-Frankfurt 0-3, Leverkusen-Hoefenhajm 0-3, Frajburg-Augsburg 2-1, Ingolshtat-Dortmund 3-3, Darmshtat-Volfsburg 3-1.

Renditja: Bajern 17 (-1), Herta 17, Hofenhajm 16, Këln 15, Lajpcig 14 (-1), Dortmund 14 etj.

B. Kuka