Barça pa fuqi, Nejmari “JO” Realit, kthim në “vatrën” e PSG-së?!

Pse jo, do të thoshin analistët më realistë, sidomos pas lajmeve të fundit që vijnë nga Franca dhe analizës së hollësishme të situatës! Pse të mos ketë një “flakë” të re mes Nejmarit dhe Paris SG? A nuk po ndodh në Madrid me Garet Bejlin dhe tek Interi me Mauro Ikardin? Natyrisht, çdo skenar mund të dalë i gabuar, pasi aleancat mbeten “fluide”, dhe toka nën këmbë nuk ka asnjë siguri në futboll.

Gjithsesi, gjendja është e tillë që Barcelona e ka tepër të vështirë të bindë Paris SG për të marrë Nejmarin (a nuk mjafton kalimi i Kutinjos tek Bajerni për ta kuptuar?), po ashtu vetë braziliani duket se nuk e ka shumë me qejf të shkojë tek Reali, madje ekziston pikëpyetja nëse madrilenët e kanë seriozisht me të, apo thjesht po bëjnë zhurmë për të fshehur operacionin e vërtetë, që mund të jetë ai për Pol Pogbanë!

Tani flitet për një afrim të ri mes superyllit dhe PSG-së, me trajnerin Tuhel që është gati ta pranojë në skuadër, dhe me presidentin Al Helaifi që nuk do të ishte kundër. Në fund të fundit jeta vazhdon, dhe palët mund të presin verën e ardhshme, kur kushtet të jenë më të mira për transferimin.

Sfidanti.al