Ikardi dhe tifozët, konflikti “virtual” që po shkatërron Interin

Nuk ka qetësi në shtëpinë zikaltër. Humbja me Kaljarin brenda në “San Siro” nuk ishte veçse rrjedhojë e një krize që ka disa autorë, por mbi të gjithë atë që duhej të bënte të kundërtën, kapitenin Ikardi. Nuk kanë mjaftuar historitë me gruan e tij, Uanda Narën, por ishin edhe disa faqe të autobiografisë së tij botuar së fundmi që të shkaktohet tërmet në klubin italian dhe në ambientin rreth tij. Ikardi shkruan për një konflikt të tij me tifozët ultras, por këta të fundit kanë mbetur të ofenduar, duke e quajtur një gënjeshtër.

Një mbledhje urgjente pasoi konfliktin, ku Ikardi u gjobit rëndë, dhe premtoi t’i hiqte faqet kompromentuese nga biografia që do të ripunohet dhe ribotohet. Gjithsesi, argjentinasit nuk iu hoq shiriti I kapitenit. Figura të rëndësishme zikaltër, si Havier Zaneti apo Sandro Macola kanë dalë kundër Ikardit, ndërsa skandalet me të shoqen nuk mungojnë. Së fundmi, u përfol se Mafia i kishte ofruar ndihmë ish-burrit të Uandës, Maksi Lopezit, për të marrë hak ndaj Ikardit, që i kishte rrëmbyer gruan pikërisht shokut të tij të ekipit.

Historia me gruan e shokut bëri që Ikardi të sulmohej hapur nga legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona, ndërsa besohet se ky është shkaku që e ka lënë jashtë kombëtares së Argjentinës. Në vendin e tij, në Buenos Aires, thuhet se Lionel Mesi ka vënë veton kundër Mauritos.

B. Kuka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *