Formula 1, krizë e thellë e kampionit të botës, Ljuis Hamilton!

Priste që të ishte sezoni i titullit të katërt botëror, për t’u afruar sa më shumë legjendave si Fanxho apo Shumaher. Rezultoi një shkatërrim total ky kampionat botëror i Formula 1 për kampionin në fuqi, Ljuis Hamilton. Anglezin e kanë lënë nervat dhe ai jo vetëm që praktikisht e ka humbur garën në pistë me Niko Rosbergun, por po shkatërron edhe imazhin.

Ai do të dalë me detyrim përpara mediave këtë fundjavë, në prag t Çmimit të Madh të radhës, atij të SHBA-së në Ostin. Organizatorët u revoltuan shumë nga sjellja e kampionit në konferencën e kaluar në Japoni, ku ai jo vetëm kritikoi formatin (diçka që mund të bëhet), por edhe u tall me gazetarët, duke dhënë përgjigje fare të shkurtëra dhe duke luajtur me celularin e tij, në kohën që i bëheshin pyetje.

Ai, madje u tha gazetarëve se “nuk jam këtu që t’u përgjigjem pyetjeve tuaja”. Duket se Formula 1 po e detyron 31-vjeçarin të dalë para mediave edhe një herë, në shenjë ndëshkimi.

Hamilton cilësohet pa asnjë dyshim si piloti më i mirë aktual në Formula 1, pavarësisht rivalëve si Fetel, Rosberg, Raikonen apo Alonso, veçse nuk duket më i forti nga nervat. Defektet që i ndodhën në makinë bënë që ai të kritikonte hapur skuadrën e tij, Mercedesin, duke nënkuptuar se po favorizohet Rosberg.

Kur kanë mbetur edhe 4 gara deri në fund të kampionatit botëror, Hamilton është 33 pikë pas gjermanit që duket se do t’i përngjajë babait të tij, Keke Rosberg, duke e fituar më në fund një titull botëror.

B. Kuka