Sa i brishtë ky Real, edhe humb në Valencia, edhe i dëmtohet Hazari!

Ishte e ditur që më parë, dhe nuk është se po bindte shumë. Pavarësisht kryesimit (që tani nuk e ka më) në ligën spanjolle, Reali i Zinedin Zidanit dihej se ishte një “ndërtesë” me “themele” jo shumë të forta, diçka që e tregoi në disfatën e pësuar në fushën e Levantes. Një gol i Hoze Luis Moralesit në 79’ mjaftoi për t’i dhënë vendasve një fitore të madhe, dhe për ta lënë Realin dy pikë prapa Barcelonës në renditjen e La Ligës.

Për më tepër, Eden Hazar, i cilësuar si ylli kryesor i skuadrës, u detyrua të dilte nga fusha i dëmtuar, dhe lëndimi u duk në po atë gju që e pengoi të luante për 3 muaj në Madrid. Skuadra e Zidanit mund të ketë disa dobësi, por kryesorja është që nuk shënon dot shumë gola. Aq e vërtetë është kjo, saqë “të bardhët” kanë 16 rrjeta më pak se Barcelona në 25 javë kampionat (46 ndaj 62), pra me më pak se dy gola për ndeshje. Jo vetëm kaq, por Sociedadi dhe Vijarreali janë shumë pranë (nga 42 gola), ndonëse kanë skuadra shumë më tepër modeste.

Karim Benzema nuk mjafton të mbajë barrën që dikur e mbante Kristiano Ronaldo. Garet Bejl është “me hënë”, Hazar shpesh dëmtohet, Vinisius është shpërdorues, ndërsa Rodrigo tepër i ri. Luka Joviç, ndërkaq, duket se e kishte më të lehtë të shënonte për Frankfurtin sesa me fanelën e Realit. Ndoshta, projekti i Zidanit është për të ardhmen, veçse tifozët duan suksesin sot. Nuk dihet nëse Reali do të jetë gati për sfidën e madhe të Championsit ndaj Sitit.

Sfidanti.al