Përshëndetja turke si “epidemi”, ja dhe ekipi i ligës së 10-të në Gjermani!

Nja pesë shekuj e ca më parë, Mbretëresha e Anglisë, Elizabeta I, nuk e pati problem të blatonte me titull fisnikërie një pirat të tmerrshëm e gjakatar si Frensis Drejku, të cilin madje edhe e bëri nënadmiral të përgjithshëm të Flotës Mbretërore. Ishte nevoja që e shtyu dhe falë një talenti me përvojë si Drejku, anglezët mundën Armadën Spanjolle dhe nisën sundimin e deteve.

Sot, bën shumë përshtypje nderimi ceremonial i futbollistëve turq, në të katër anët e Europës, për ushtrinë e tyre që po lufton kurdët në Siri. Atëbotë, në 1588, Mbretëresha Elizabetë ishte e bindur si pirati i famshëm Drejk po mbronte Anglinë, edhe sot qytetarët turq apo edhe ata me origjinë turke dhe pasaportë gjermane, mendojnë se ushtria e presidentit Erdogan po mbron Turqinë.

Pas kombëtares turke që përshëndeti dy herë në mënyrë ushtarake, ndaj Shqipërisë në Stamboll dhe Francës në Paris, ja ku del edhe një skuadër modeste, një ekip i turqve gjermanë, që militon në kategorinë e 10-të të Gjermanisë. Tyrkspor Mainburg, në distriktin e Kelhajmit, e bëri këtë përshëndetje ushtarake në ndeshjen e fituar 4-2 ndaj Vildenburg/Biburgut. Shoqata Bavareze e Futbollit reagoi duke paralajmëruar procedim disiplinor sportiv.

Sfidanti.al