Partizani i urtësuar, dikush ka filluar të zbehë triumfin e të kuqëve

Ende pa përfunduar zyrtarisht kampionati është gjetur edhe çelësi i suksesit të Partizanit, madje kanë filluar të na imponohen, duke mos na lënë shumë alternativa, për të gjetur emra të përveçëm ku të drejtojmë komplimentet. Eshtë ngritur një grup mediatik, i cili na e ka hequr stresin e të menduarit për një kohë të gjatë dhe na ka servirur pa mundësi komenti gjetjen e tyre, sipas të cilës drejtuesit e rinj të skuadrës i sollën edhe titullin kampion Partizanit pas 26 vitesh. Dhe kjo ndodhi sepse i dhanë një tjetër imazh, duke e urtësuar, pra duke e mbajtur larg polemikave me të tjerët që janë po pjesë e garës së tyre. Kjo është vërtetë e trishtueshme nëse ka qenë strategji, pasi me këtë mënyrë legjitimohet një pushtet despotik që po e mbyt futbollin shqiptar. Ky është një mesazh që nuk i duhet së paku komunitetit, sipas të cilit, nëse nuk e mbyll gojën, padroni i futbollit jo vetëm që nuk të lejon të fitosh tituj, por në të kundërtën të sulmon, të përçmon.

Partizani ishte i bukur, sepse nuk ka bërë asnjëherë kompromise me drejtuesit arrogantë, madje luftoi pothuajse i vetëm dhe përfundimet kanë qenë edhe më parë mbresëlënëse. Skuadra e kuqe nuk ka mundur vërtetë të fitojë tituj të rëndësishëm, por ka mbijetuar me një dinjitet emocionues, duke na përfaqësuar sidoqoftë në kupat e Europës. Pikërisht rezistenca, apo refuzimi i prepotencës së atyre që  besojnë se tashmë e kanë privatizuar futbollin që luhet në këtë hapësirë modeste ishte arsyeja, pse Partizani mbeti shumë më i madh në staturë, se çdo drejtues I Federatës. Kështu që nuk i duhej të urtësohej, as për të fituar titullin e 16-të dhe për të entuziazmuar shkruesit e oborrit… I duhej thjesht të ishte Partizani.