Ambicia e bashkon edhe me “armikun”, Ronaldo kërkon Murinjon!

Cili do të jetë trajneri i ri i Juventusit? Maks Alegri u largua me “hosana”, por e ardhmja duhet të përcaktohet shpejt, edhe pse Pavel Nedved deklaroi se “nuk kemi arsye që të nxitohemi”. Ish-kampioni në stolin juventin, Marçelo Lipi, hamendësoi se “Juventusi, duket se po pret përfundimin e ndonjë kompeticioni të caktuar”, duke lënë të nënkuptohej se mund të kërkohet Poçetino i Totenhemit apo Sarri i Çelsit, që kanë përpara finalet europiane.

Gjithsesi, lajme të rëndësishme vijnë lidhur me qendrimin e Kristiano Ronaldos. Nuk dihet sesa janë të vërteta, por fillimisht u fol për kërkesën e portugezit që klubi torinez të merrte Karlo Ançelotin. Tashmë, CR7-ës i vihet në gojë emri i Zhoze Murinjos! Sa shanse ka që dy “armiqtë” tek Reali, të bashkohen tek Juventusi? Nuk dihet, edhe pse portugezi tjetër është i lirë, pasi u shkarkua nga Mançester Junajtidi në dhjetor të vitit të kaluar. Tifozët juventinë nuk është se e duan shumë, por nuk harrohet suksesi i trefishte me Interin në 2010. Ronaldo vetë nuk i ka honepsur shumë taktikat e Murinjos, por ambicia për trofe mund ta bashkojë edhe me armikun më të ashpër.

Sfidanti.al