Korabi infektohet nga sindroma e trajnerit

Veç kushteve të trajnimit, vështirësive financiare dhe plot problemeve të tjera, skuadrat shqiptare të futbollit vuajnë edhe prej mungesës së durimit. Kryesisht janë presidentët e klubeve që e kanë tendencë prishjen e shpeshtë të humorit dhe nga “dora në qafë” kthehen në stuhi për trajnerët, të cilët asnjëherë nuk janë të mbrojtur nga ky mot i ashpër. Por edhe kur këta të fundit nuk kanë ndërmend të shfryjnë, janë tifozët që i kujtojnë se dikush duhet shkarkuar për të përmirësuar rezultatet e skuadrës. Dibranëve u duken shumë pak pesë pikët e grumbulluara nga ekipi i Mergjyshit dhe e kanë drejtuar gishtin pikërisht nga tekniku, ndërsa klubi ka ndërhyrë nëpërmjet një komunikate për të ulur gjakrat. Por një lëvizje e tanishme në pankinë do të ishte fare e palogjikshme në rastin e Korabit, qoftë edhe për faktin se ka qenë Mergjyshi ai që ka konceptuar sipas shijeve të tij këtë skuadër në merkaton e verës, madje një pjesë të titullarëve i ka stërvitur edhe më parë. Pra një lëvizje në drejtimin teknik vetëm se do të sillte rrëmujë dhe do të rrezikonte një investim që për nga shifrat nuk është i zakonshëm, duke pasur parasysh që ky është Korabi, një skuadër debutuese në Kategorinë Superiore.