Ermir Lenjani nuk e ul nivelin, vazhdon me Sionin në Superligën e Zvicrës!

Tifozët e kanë dashur për atë që ka dhënë në fushë. Ermir Lenjani, djaloshi nga Kosova, ka qenë gjithnjë një i pëlqyer në kombëtaren shqiptare, i mbështetur nga ish-trajneri Xhani De Biazi, ndërsa shpreson që japë kontribut edhe me Edi Rejën. Karriera e tij mori një pohim të rëndësishëm kur klubi i Superligës së Zvicrës, Sioni, vendosi që ta mbante edhe më tej 30-vjeçarin në radhët e veta.

Lojtari i krahut, i lindur në Kamenicë të Gjilanit, ka dhënë kontribut të rëndësishëm për skuadrën e elitës zvicerane, madje ai mban rekordin e golit më të shpejtë shënuar ndonjëherë në këtë Superligë, realizuar vetëm pas 10 sekondash, në duelin e prillit 2019 ndaj Lucernës. Lenjani luan tek Sioni që nga viti 2017, ndërsa po në Zvicër ka qenë për Vinterturin, Grasshopersin, sërish Vinterturin e Sent Galenin.

Ai është aktivizuar edhe për skuadra të Ligës së Parë të Francës, Renën dhe Nantën, duke shënuar për këtë të fundit në fitoren 1-0 arritur ndaj Reimsit. Në moshën 30-vjeçare, Lenjani është i vendosur që të vazhdojë karrierën në nivele të larta, dhe po ashtu të grumbullohet sa më gjatë që të jetë e mundur në kombëtaren e Shqipërisë, për të cilën ka luajtur 33 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Sfidanti.al