Ajeti mund Ujkanin, Torino tani në Kupë ndaj Milanit!

Në fushë Arlind Ajeti, Samir Ujkani dhe Edgar Çani. Tre shqiptarë në të gjashtëmbëdhjetat e Kupës së Italisë, në përballjen Torino-Piza. Fitoi mbrojtësi i kombëtares, përballë portierit të Kosovës dhe sulmuesit të rikthyer tek Shqipëria. Skuadra vendase, favorite absolute për t’u kualifikuar, vuajti shumë më tepër sesa kishte menduar dhe iu deshën kohët shtesë, por shmangu të paktën penalltitë. Përpara nisjes së përballjes, dy ekipet mbajtën një minutë heshtje në kujtim të viktimave të skuadrës braziliane, Çapekoense, ndërsa lojtarët e Torinos kishin një shirit të zi në krah.
Ajeti u rikthye më në fund nga dëmtimi dhe luajti titullar pas kaq kohës, ndërsa tek Piza, Ujkani dhe Çani janë të zakonshëm në formacion. Portieri i Kosovës bëri pritje të shumta dhe ishte pengesa kryesore e skuadrës “granata”. Çani, në krahun tjetër e pati një rast, por nuk e shfrytëzoi dot. Trajneri i Torinos, Mihajloviç, hodhi në fushë patriotin e tij, serbin Adem Ljajiç, dhe ishte ky që realizoi me të nisur kohët shtesë. Maksi Lopez, Boje dhe Beloti ishin autorët e golave të tjerë, me Toron që goditi edhe dy shtylla. Tani, në të tetat e finaleve të Kupës së Italisë do të ndeshet me Milanin.