Tryeza ishte ajo e zakonshmja për konferencat e shtypit. Aty ishte ulur trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, dhe të gjithë prisnin të nisnin pyetjet për ndeshjen e radhës. Papritur, gjithçka mori ngjyrë tjetër. Në krah të francezit u ulën dy prej futbollistëve londinezë, Hektor Belerin dhe Santi Kazorla të veshur … si për Krishtlindje. Belerin kishte vënë në kokë në kokore me imitimin e brirëve të drerit, ndërsa Kazorla kishte kapele në formën e dy këmbëve të Babagjyshit të Vitit të Ri, të veshur me pantallonat festive.
Çfarë paska ndodhur? Tek Arsenali, Krishtlindjet dhe festat paskan ardhur më shpejt se kudo? E vërteta është më pak misterioze. Klubi londinez ka marrë pjesë në një mesazh nxitës për fushatën “Shpëtoni Fëmijët”. Gjëja më e bukur në reklamë ishte qendrimi serioz i Vengerit dhe lojtarëve të tij. “Ne nuk e kemi marrë aspak si shaka të gjithë këtë”, – u shpreh trajneri.