Partizani, humbje “pa zarar” në Laç, por rivalët kanë shpresë për titullin!

Kush tha se gara për titull është mbyllur? Partizani vërtet kryeson me diferencë, por nuk është i pathyeshëm, siç u pa qartë në Laç. Kryeqytetasit madje bënë shumë pak për të marrë qoftë edhe barazimin, duke humbur minimalisht 0-1, ndonëse patën pretendime për golin që solli humbjen.

Për ta, penalltia dhënë kurbinasve nuk ishte e drejtë, pasi ndërhyrja e gabuar ndodhi jashtë zonës së rreptësisë. Gjithsesi, arbitri kryesor Kola e akordoi 11-metërshin dhe shkodrani Shtubina e ktheu në gol. Partizani po ashtu kërkoi penallti për vete, ndonëse pamjet e përsëritura treguan se nuk ishin kushtet që vendasit të ndëshkoheshin me vendimin ekstrem.

Përtej penalltive, të kuqtë u shfaqën sërish me minusin e tyre kryesor, atë që nuk kanë një pikë referimi në sulm, dhe që nuk janë në gjendje të shënojnë më shumë se një gol për ndeshje. Gjatë 90 minutave në Laç ishte skuadra vendase, e trajnerit Besnik Prenga që bëri më shumë, edhe pse niveli i lojës la për të dëshiruar për të dyja palët.

Humbja, sidoqoftë, nuk është se i prishi shumë punë kryeqytetasve. Skuadra e trajnerit Skënder Gega vazhdon kryesimin e Superligës me 46 pikë, 7 pikë më shumë se Teuta dhe 8 mbi Kukësin, pra në pozita të mira kur kanë kaluar 22 javë deri tani. Në ndeshjen tjetër, atë të duelit për mbijetesën, Kastrioti fitoi 1-0 në fushën e Kamzës me gol të Ymerajt pikërisht në fund.

Sfidanti.al