Goli i Nexhipit? Të respektojë tifozët, apo të çmendë Starovën

Nderim Nexhipi ka thënë në prag të ndeshjes Korabi – Partizani, se do të dëshironte shumë t’i shënonte skuadrës së kuqe, por nëse ia arrin nuk do të festojë, për të respektuar kështu tifozët, me të cilët ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta. Mesfushori nga Shkupi është një profesionist me eksperiencë të mjaftueshme dhe e kupton që golat për skuadrën e tij të re do të ishin një ndihmë e madhe, aq më shumë tani që ndodhet në krizë pikësh.

Veç të tjerash, ish-kapiteni i Partizanit, sot kapiten në krahun tjetër të fushës, ka një arsye më të madhe për t’u hedhur përpjetë si i çmendur në rast se shënon, megjithë dashurinë për tifozët. Në krye të pankinës së Partizanit është kthyer Sulejman Starova, pikërisht ai që fillimisht i hoqi gradat futbollistit shqiptaro-maqedonas dhe më pas e detyroi të largohej nga skuadra. Çfarë duhet të bëj tani Nexhipi me golin… të nderojë me heshtje njerëzit e shkallëve, apo të bëj të heshtë Starovën duke festuar.