Egbo fiton derbin, Tirana është më në fund e … Tironës!

Disa vjet më parë, ndërsa shkoja të intervistoja trajnerin Ilir Daja, në kompleksin “Skënder Halili” u takova fillimisht me ndihmësin e tij, Ivan Gvozdenoviç. Duke pasur disa njohuri në gjuhën e tij, i fola serbokroatisht, por pas nesh u shfaq Emanuel Egbo që na e preu shkurt. “Këtu jemi në Shqipëri dhe flitet vetëm shqip”, – tha ai. Këto fjalë m’u kujtuan tani që Egbo u bë trajneri i parë i Tiranës që fiton një derbi që nga koha e Gugash Maganit në shkurt 2014.

Një nigerian “safi”, ai u tregua edhe një shqiptar i vërtetë, edhe një “tironas i vjetër”, duke i dhënë ekipit të tij një siguri që rrallë ishte parë këto kohë. Natyrisht, loja e mirë kombinative e bardhebluve nuk ishte për meritë të ish-portierit, jo se ai nuk mund të jetë trajner i mirë, por sepse nuk pati kohë ta bënte. Ajo lojë ishte “markë” e Ardian Memës, njeriut që punoi më shumë se një vit me Tiranën. Ndoshta ishte edhe fati, por e vërtetë mbetet që 24 herë kampionët luajtën më mirë sesa kampionët në fuqi dhe e merituan fitoren.

Presidenti Refik Halili, i lehtësuar më në fund pas ndeshjes, solli edhe Allahun “dëshmitar” dhe “faktor” në fitoren e ekipit të tij, por së pari numri 1 bardheblu duhet t’i japë meritën trajnerit që diti të qetësonte futbollistët dhe t’i bënte të luanin pa presion. Egbo është i tillë, i qetë, por edhe i ashpër, serioz dhe miqësor. Nuk dihet nëse do të ketë karrierë, siç ka pasur Dino Xofi, trajner me Italinë e me Lacion, por të paktën fitoi diçka të madhe, derbin e parë në “Arenën Air Albania”, dhe jo më kot tifozët thonë se kur fiton një derbi, është sikur ke fituar një titull kampion.

Sfidanti.al