Çfarë pritet nga sezoni i Tiranës? Mos vallë rrezikon “kataklizmon” si në 2017!

Edhe para se të niste loja dihej që do të ishte e vështirë. Për Tiranën, sfida ndaj Laçit u bë edhe më shumë malore pas largimit nga stoli të trajnerit Nevil Dede dhe ajo që u pa në fushë ishte thuajse një dorëzim. Fitore e merituar e kurbinasve të drejtuar nga një teknik me përvojë si Shpëtim Duro, që ia dolën me golin mjaft të bukur të Mentor Mazrekajt.

Ish-lojtari i Partizani, gjithmonë një nga të preferuarit e Duros, vulosi një ndeshje që fare mirë mund të kishte dalë me rezultat më të thellë. Nëse tiranasit u përpoqën sado pak në pjesën e parë, ata nuk patën vullnetin dhe energjinë për të luftuar deri në fund. Kuptohet që ishin thellësisht të tronditur nga ajo që ndodhi para duelit të Superligës në “Selman Stërmasi”. Laçi krijoi mjaft raste dhe vetëm fati apo ndërhyrjet e portierit vendas, Bekaj, bënë që të mos shënonte më shumë. Me këtë sukses, laçianët u ngjitën në vendin e katërt në renditje me 24 pikë, duke qenë në pozicion shumë të mirë për t’u kualifikuar në Europë sezonin e ardhshëm, diçka që e kanë traditë prej shumë vitesh.

Po sezoni i Tiranës si mund të shkojë? Duket se po merr një drejtim të rrezikshëm dhe ekipi që verën e kaluar luftoi fort në Champions, këtë herë mund të mbetet edhe pa Ligën e Europës. Shpenzimet e mëdha nuk po e justifikojnë veten, ndërsa nuk duhet harruar se kriza e brendshme mund të krijojë edhe dramë, siç ndodhi disa vjet më parë kur ekipi ra nga Superliga.

Sfidanti.al