Elbasani, anglez me letra… skuadra të njëjtat vuajtje

Lajmi më i mirë i kësaj vere ishte, që Elbasani, pas negociatave të gjata gjeti një pronar të ri. Pra tani do të mund të zvogëlohet lista e skuadrave të traditës, të cilat nuk kanë më asnjë mundësi t’I afrohen sërish emrit të tyre. Kompania angleze që ka blerë aksionet e Elbasanit ka premtuar se do të ketë një mega-investim, madje që mund të nis prej janarit, por deri tani pothuajse asgjë nuk ka lëvizur, të paktën në trajtimin e futbollistëve. Deri në këtë moment, futbollistët kanë marrë vetëm gjysmën e pagesës së një muaji, ndërsa përfaqësuesi i pronarëve të rinj në Elbasan është indiferent.

Në këtë kampionat ka ndryshuar edhe skema e aktivitetit dhe pas përfundimit të dy fazave, vetëm pesë ekipet e para të çdo grupi do të vazhdojnë garën për Superiore, ndërsa pesë të tjerat për të evituar rënien një kategori më poshtë. Pra kur të kujtohen anglezët për ta marrë seriozisht investimin e tyre të ri, kjo skuadër mund të ketë mbaruar punë me pretendimet dhe do të jetë vetëm një grup futbollistësh të pakënaqur, njëlloj si në të gjitha sezonet e fundit.