Fitoret dhe asistet e kanë emrin Mesi, lojtari më altruist në botë!

Ishte fundi i ndeshjes në fushën e Eibarit dhe Lionel Mesi pati në këmbë topin për golin e tretë të Barcelonës. Do të kishte qenë i dyti personal, dhe i treti në një sezon të vështirë, plot me dëmtime. Gjithsesi, edhe në momentin që një golshënues nuk sheh asgjë tjetër përveçse portës kundërshtare, argjentinasi bëri një veprim tjetër, duke pasuar topin në të majtë për Luis Suarezin. Uruguajani nuk pati kohë për të falenderuar, por shtyu topin drejt portës së zbrazur.

“Njeriu më pak egoist në botë”, ishin komentet e tifozëve katalanas në përfundim të sfidës së La Ligës. Natyrisht, nuk është hera e parë që Mesi ndihmon shokët, edhe kur më të lehtë e ka të shënojë vetë, dhe është pikërisht ky altruizëm që e ka bërë Barcelonën një skuadër edhe më të fortë, dominuese në futbollin spanjoll. Për më tepër, me kthimin e kapitenit nga dëmtimit, ka ndryshuar edhe fati i ekipit katalanas. Me Mesin jashtë, të besuarit e trajnerit Valverde fitonin 1.4 pikë për ndeshje, ndërsa tani fitojnë 3, pra marrin 100 për qind të pikëve.

Sfidanti.al