CR7 kalon Gerd Mylerin, por Jozef Bican mbetet lart, dhe Mesi “kërcënon”!

Me golat e shënuar në dy ndeshjet e fundit në Itali, ai u ngjit në vendin e pestë të realizuesve për të gjitha kohët. Kristiano Ronaldo ka tani 737 rrjeta në 1 029 ndeshje, dy më shumë sesa legjenda gjermane, Gerd Myler. Natyrisht, “Bomberi i Kombit” ka luajtur më pak ndeshje për të shënuar 735 golat e tij, dhe kjo vlen jo pak. Ronaldo është fare pranë një tjetër ylli të madh si Ferenc Pushkash, legjendës së Hungarisë, Honvedit të Budapestit dhe Realit të Madridit, që ka 746, dhe gjithashtu ka mesatare më të mirë sesa portugezi.

Në vendin e tretë është “Mbreti” Pele me 767 gola të shënuar në vetëm 831 ndeshje, dhe mesatarja e tij është e jashtëzakonshme, që CR7-ta nuk mund ta arrijë kurrë. Romario po ashtu është i shkëlqyer, në vendin e dytë me 772 gola në 994 ndeshje, ndërsa në vend të parë është çeku Jozef Bican, që luajti edhe për Austrinë, dhe që realizoi 805 gola në më pak se kaq ndeshje. Natyrisht, Ronaldo kërcënohet edhe nga Lionel Mesi që ka 717 gola në shumë më pak sfida sesa portugezi.

Sfidanti.al