Vetëm një klub në pesë ligat kryesore është më i keq se Reali…!

Vështirë se mund të gjesh ndonjë klub në pesë ligat kryesore evropiane që është më keq sesa Reali i Madridit, pra në një formë më të keqe dhe në krizë golash, por, megjithatë, staticienët pedantë e kanë gjetur një të tillë dhe ai është Dizhoni francez që ka 473 minuta pa shënuar gol që do të thotë 28 minuta më shumë se ekipi i lojtarëve galaktikas që kanë katër ndeshje radhazi që nuk i kanë tundur rrjetat e portave kundërshtare gjë që është me të vërtetë e rrallë për Realin e Madridit.
Dizhoni për herë të fundit ka shënuar gol më 15 shtator, kur humbi 3-1 ndaj Anzhersit, ndërsa, më pas, ka pësuar humbje nga Lioni 3-0, Strasburgu 3-0 dhe Amieni 1-0.
Sa i përket Realit, ai u mund fundjavën e kaluar nga Alavesi 1-0, ndërkohë që paraprakisht ka humbur 1-0 ndaj CSKA-së në Moskë në Ligën e Kampioneve, ndaj Seviljes 3-0, kurse në derbin qytetas me Atletikon barazoi 0-0. Golin e fundit Reali e ka shënuar kundër Atletikos së Bilbaos (1-1) në stadiumin “San Mamesh”, po më 15 shtator, ashtu si edhe Dizhoni.
Interesante është se, pavarësisht, nga forma e keqe, Reali i Madridit është një vetëm një pikë larg Seviljes kryesuese, ndërsa Barcelona dhe Atletiko kanë vetëm një pikë më shumë, pasi edhe Barcelona ndodhet e përfshirë në një krizë serioze në La Liga, vetëm me ndryshimin se ekipi katalonjas, të paktën, shënon gola.
Sfidanti.al