E gjeni dot Kombëtaren tuaj në fushë? Apo do gjejmë Panuçin ku iku..

Kujtonim se e keqja po ndodhte në fushë me Jordaninë, por nuk dinim se ajo që do të ndodhte pas ndeshjes do ta “pasuronte” më shumë kronikën. Trajneri Panuçi ia ka mbathur nga ekrani, ka shpërfilluar pyetjet tradicionale pas një beteje mediokre, duke lënë pas, të ndezur, fitilin që ndodhet poshtë stolit të tij. Sa shumë do të donim të pyesnim për humbjen me shpejtësi të identitetit në lojë, për zellin e pafre për të katapultuar emra nga gjithë etnia në derën e madhe të Kombëtares, por, prapëseprapë, të gjithë shkojmë pas trajnerit e jo pas ..topit. Pyetja që tundon tregun e opinioneve është tjetër: pse iku Panuçi dhe shpërfilli ngacmimet tradicionale pas ndeshjes? Kjo arratisje nga ekrani, i cili zakonisht spërkatet me aromën e shefave, vallë mos ka lidhje me atë komplotin e famshëm pa emra, falë të cilit kuptuam se trajneri ynë nuk është një “dele” e radhës, por një Italian i fortë, që po ngacmon me kurajë nervat kuqezi , si dikur Pavllovi që eksperimentonte me nervat e qenit të tij…
Para ndeshjes na këshilluan me sinqeritet ekrani se Jordania ishte një ekip modest dhe nuk na lejohej të pretendonim shumë nga kjo ndeshje. Ajo që ndodhi kishte një bukuri të frikshme: nga uniforma i njohëm ekipet, po në lojë cila ishte Jordania e vërtetë? S’ka përgjigje për pyetjen, sepse ajo që na përpin më shumë është jashtë fushe. Aty ku u bë “goli” i radhës në portën e trajnerit Panuçi , pasi e pagëzuan trajnerin “arrogant” për nga stili i arratisjes pas ndeshjes. Një ikje që duhet të ishte pa kthim, nëse do të ndodhte në një vend tjetër, në një federatë që do donte lojen me shume se shefin, në një vend ku të huajt nuk do ta mësonin kaq shpejt stilin e fundit të modës.. rolin e të fortit!
Sfidanti.al