U pendua apo e  detyruan?   Kovaç i kërkon falje  Guardiolës

Niko Kovaç u ndodh në një pozitë të vështirë, pasi u tregua shumë optimist lidhur me ardhjen e futbollistit Leroj Sane të Mançester Sitit te Bajerni. Trajneri kroat i këtij të fundit, në një intervistë në TV gjerman ZDF, deklaroi se krerët e klubit bavarez me siguri që do ta mbarojnë shpejt punën e ardhjes së lojtarit të mësipërm të klubit “qytetar” te Bajerni. Kjo deklaratë u dënua nga njeriu nr.1 i klubit gjerman, Karl-Hainc Rumenige, që tha:

“Të them të drejtën, mua nuk më pëlqeu ajo që deklaroi trajneri ynë, sepse ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Sitin dhe me ish-trajnerin tonë Pep Guardiola. Fundi i fundit, Sane është ende nën kontratë me Sitin, kështu që neve nuk na ndihmojnë as deklaratat optimiste dhe as ato pesimiste”.

Në këto kushte, edhe vetë Kovaçi e pranoi gabimin që kishte bërë një deklaratë më shumë se optimiste, kështu ai i kërkoi falje publike trajnerit të Sitit, Pep Guardiola.

“Ndoshta, unë e teprova në intervistën që dhashë, kështu që i kërkova falje Pepit, me të cilin kontaktova. Në të ardhmen, unë do të tregohem më i përmbajtur”, deklaroi trajneri i Bajernit, Kovaç.

Sfidanti.