Milani ka Kutronen, por edhe Interi e ka gjetur: Ja Karamoh!

Jan Karamoh shpreson të jetë një emër i përzgjedhur nga fati. Interi e mori pa shumë pretendime dhe shpresa, por gjithsesi duke e provuar një herë, dhe djaloshi fare i ri, i lindur në Bregun e Fildishtë dhe i rritur në Francë, ia doli për bukuri në provën e parë që iu dha për të kryer.

Luçiano Spaleti iu afrua përpara ndeshjes ndaj Bolonjës, duke i thënë: “Jan, bëj nxemje të mirë sepse do të jesh titullar”. Franko-afrikani 19-vjeçar u emocionua, por edhe u bë i gjithi sy e veshë për të dëgjuar këshillat e trajnerit. “Shfrytëzo shpejtësinë që do të na hyjë në punë, – i tha Spaleti, – si dhe mos harro se duhet të luash me shokët”.

Në konferencën e ndonjë dite me parë, trajneri ishte shprehur për Karamohun se “e luan futbollin si një fëmijë, është i shpejtë, i zoti në driblim, por shpesh harron të kombinojë me shokët”. Kjo ishte kritika indirekte, të cilën Karamoh e pati para syve. Ndaj Bolonjës ai ishte njeriu “plus” i Interit, ai që krijoi epërsinë numerike, që i kishte munguar zikaltërve prej kaq shumë javësh.

Karamoh krijoi golin e Ederit, si dhe shënoi golin shumë të bukur të fitores 2-1, me Interin që është përsëri në zonën Champions, dhe që mund të shpëtojë sezonin. “Falenderoj trajnerin që më aktivizoi, – thotë heroi i ndeshjes, – falenderoj publikun për brohoritjet kur u zëvendësova, do të thotë se diçka të mirë e bëra. Kam punuar shumë, sidomos për ta bërë këmbën e majtë po aq të fortë sa e djathta”.

Sfidanti.al