Mesfusha e Juves nuk bind, Sarri ndoshta po vepron me qëllim!

Filozofia e tij ishte që skuadra nuk mund të përballonte një lojë me 3 sulmuesit kryesorë njëkohësisht në fushë. Mauricio Sarri nuk kishte dyshime që Kristiano Ronaldo, Paulo Dibala e Gonzalo Higuain nuk duhej të ishin titullarë që të tre, sepse mesfusha e vuante, dhe kështu ndodhi në Superkupën e Italisë ndaj Lacios. Edhe pse trajneri bardhezi e mohoi një gjë të tillë (“golat i pësuam kur hodha në fushë një mesfushor”), sërish ishte fakt se në Riad, kundërshtari mori zotërimin e mesit të fushës.

Analiza e “La Gazeta delo Sportit” ishte që treshja e sulmit mbronte pak, se formula me romb në mesfushë mbulon qendrën, por lë zbuluar krahët, dhe pikërisht nga krahët erdhën të tre golat lacialë. Pritet që Paratiçi të sjellë një tjetër përforcim në këtë sektor në janar, por nuk dihet nëse Sarri po i hedh sulmuesit të gjithë në fushë sepse beson tek ata, apo sepse dëshiron t’u tregojë se kështu nuk fitohet. Ka arsye për t’u besuar edhe kjo e fundit, sepse është problem i madh të bësh rotacion me yje të tillë. Ronaldo u mërzit nga dy zëvendësime, Higuain e fiton vetë pozicionin, ndërsa Dibala është në formë, por nëse mërzitet mund të prishë harmoninë e grupit. Ndoshta, do të jenë vetë tifozët që do të kërkojnë ndryshimin, dhe Sarri atëherë do të jetë gati.

Sfidanti.al