Për herë të parë në historinë e tij arriti një sukses, edhe pse jo zyrtar. RB Lajpcigu është kampioni i dimrit në Bundesligë, diçka e bukur për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, por një lugë e zbrazët për të ngopur kampionët e vërtetë. Trajneri Julian Nagelsman, gjithsesi, beson se skuadra e tij i ka shanset këtë sezon për t’ia dalë, për të realizuar bëmën e madhe historike, pra që të fitojë titullin kampion.
Statistikat tregojnë se shanset janë 68 për qind që të ndodhë, pasi në 56 vjet, 38 herë kampionët e dimrit janë shpallur edhe kampionë të pranverës, me Lajpcigun që shpreson të jetë i 39-ti. Sulmuesi kryesor, Timo Verner, paralajmëron: “Shumë skuadra as nuk e kanë idenë se çfarë brumi kemi ne, jam i bindur se mund të bëjmë shumë më tepër, dhe nëse e bëjmë mund ta përfundojmë sezonin në vend të parë”. Lajpcigu ka më shumë fitore deri tani, bashkë me Gladbahun, ka shënuar shumë gola dhe ka pësuar pak.
Trajneri i Augsburgut, Martin Shmit, thotë se “Lajpcigu ka shanse shumë të mira, di të bëjë presion, kundërpresing, di të luajë mirë me topin, dhe është i vështirë për t’u çarë në mbrojtje”. Nagelsmani ka mundur të përballojë një fazë të tërë me organikë të vogël, por pritet të kthehen nga dëmtimi Konate, Orban, e mesfushori Kampl si dhe të vijnë përforcime si Henrihs apo Haland.
Sfidanti.al